Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet seanca e padisë së Veliajt ndaj Ols Dados, mungoi avokati Plarent Ndreca



Për shkak të mungesës së avokatit Plarent Ndreca, Gjykata Administrative shtyu seancën për shqyrtimin e padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit të posaçëm Ols Dado.

Gjatë seancës, Veliaj kërkoi shtyrjen e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të vijonte pa mbrojtje ligjore.

“Mua më duhet ndihmë juridike. Pa ndihmën dhe asistencën e avokatit nuk mund ta vazhdoj seancën. Të shkuara djalit të avokatit”, tha kryebashkiaku në seancë.

Në kushtet kur avokati Ndreca mungonte për arsye familjare, gjyqtari vendosi ta shtyjë seancën për më 24 korrik.

Përmes padisë në Gjykatën Administrative, Veliaj kërkon shfuqizimin e dekretit të Presidentit për emërimin e Ols Dados si prokuror, duke pretenduar se ai është emëruar në kundërshtim me ligjin.

Paralelisht me këtë proces, Veliaj po përballet edhe me një gjykim në Gjykatën e Posaçme, ku akuzohet për 13 vepra penale.

Në deklaratën e paraqitur para gjykatës, Veliaj iu referua edhe vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ai ka rëndësi të drejtpërdrejtë për çështjen administrative.

“Dje u zbardh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar në mënyrë kushtetuese proporcionalitetin e masës së paraburgimit në raport me mandatin tim si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe nuk kishte trajtuar në mënyrën e duhur pretendimet për cenimin e dinjitetit tim nga mbajtja në kabinën e xhamit. Për më tepër, një nga gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese ka arritur në përfundimin se, bazuar në provat e administruara, nuk rezulton të jetë arritur as standardi kushtetues i dyshimit të arsyeshëm se kam kryer vepër penale.

Këto nuk janë pasoja abstrakte. Unë ndodhem prej 16 muajsh në paraburgim dhe vetë Gjykata Kushtetuese ka evidentuar mangësi serioze kushtetuese në mënyrën se si është justifikuar kufizimi i lirisë sime.

Pikërisht për këtë arsye, ky gjykim administrativ ka një rëndësi që shkon shumë përtej personit tim apo personit të z. Olsi Dado. Ky nuk është një proces për emra të përveçëm. Ky është një proces për të përcaktuar nëse një person, ligjshmëria e emërimit të të cilit vihet seriozisht në diskutim, mund të ushtrojë kompetenca që ndërhyjnë deri në kufizimin e lirisë së një qytetari, në cenimin e dinjitetit të tij dhe në pamundësimin e ushtrimit të një mandati të fituar drejtpërdrejt nga vullneti demokratik i qytetarëve të Tiranës. Në thelb, kjo çështje prek vetë besimin te shteti i së drejtës dhe te demokracia kushtetuese.

Për këtë arsye, po e vë në dispozicion të Gjykatës vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, si një zhvillim me rëndësi të drejtpërdrejtë për këtë proces.”