
Kreu i SPAK, Klodian Braho, raportoi këtë të premte në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025, ku u ndal edhe te nevoja për forcimin e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Gjatë diskutimeve, Braho u pyet për operacionet e zhvilluara nga BKH në terren për arrestimin e personave në kërkim pa asistencën e Policisë së Shtetit, si në rastin e Adi Çobës në Durrës.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, por theksoi se SPAK dhe BKH duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për të kryer të gjithë ciklin e veprimeve hetimore pa u varur nga institucione të tjera.
“Referimet e policisë janë rritur, gjatë këtij viti kemi pasur referime nga Policia e Shtetit. Kemi vlerësimin më të madh për Policinë e Shtetit, për të gjithë ata njerëz që punojnë. Si në çdo institucion, jo të gjithë janë njësoj, ndonjëri mund të ketë probleme me ligjin apo dyshojmë ne.
Policia e Shtetit është partneri ynë i pazëvendësueshëm, nuk e zëvendësojmë ne, suksesi ynë është i lidhur me Policinë. Ne presim më shumë nga Policia e Shtetit dhe mendojmë se ka vend për më shumë. Veprimet që mund të kryejë BKH edhe për arrestime të personave, janë veprime procedurale që ligji ia lejon BKH.
Pengesat mund të vijnë për shkak të mungesës së një infrastrukture të dedikuar operacionale dhe taktike. Pavarësisht bashkëpunimit me institucionet e tjera, SPAK duhet të ketë pavarësi operacionale. S’duhet të varet nga institucione të tjera.
Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por jemi të bindur që duhet të kemi pavarësinë tonë procedurale dhe operacionale në mënyrë që për një çështje të caktuar, struktura të jetë e aftë të bëjë të gjithë ciklin e veprimeve hetimore.
Është praktikë që e kemi parë edhe në institucionet homologe në vende të tjera me të cilat bashkëpunojmë”, u shpreh Braho.