Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një pallat 10-katësh në qytetin e Antwerpit, në Belgjikë.
Sipas policisë belge, zjarri shpërtheu rreth orës 10:00 të mëngjesit në lagjen Linkeroever, ndërsa flakët dhe tymi i dendur u përhapën me shpejtësi në katet e sipërme të ndërtesës, ku banojnë më shumë se 200 persona, përcjell BBC.
Shërbimet zjarrfikëse evakuuan rreth 80 apartamente, ndërsa operacioni i shpëtimit u vështirësua nga tymi i dendur dhe dukshmëria e kufizuar.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një banor që arrin të shpëtojë duke kaluar nga ballkoni i apartamentit të tij në dritaren e banesës fqinje për t’i shpëtuar flakëve.
Sipas autoriteteve, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një defekt teknik në katin përdhes të godinës.
“Ngjarja ka lënë pasoja të rënda. Ka viktima dhe disa persona kanë pësuar lëndime të rënda e të lehta”, deklaroi zëdhënësja e policisë, Kim Bastiaens.
Zjarrfikësit vijuan kontrollin apartament më apartament për të verifikuar nëse kishte persona të bllokuar, ndërsa deri në orët e pasdites zjarri u vu pothuajse plotësisht nën kontroll.
Kryeministri belg, Bart De Wever, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe solidaritetin me banorët e evakuuar, ndërsa Parlamenti i Flandrës e nisi seancën plenare me një minutë heshtje në nder të viktimave.
