
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se raporti i miratuar nga Partia Popullore Evropiane për Shqipërinë e përshkruan vendin si “shtet të kapur”, ndërsa sistemin zgjedhor si “farsë elektorale”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në punimet e Asamblesë Politike të PPE, Shqipëria ka qenë në qendër të diskutimeve pas Ukrainës, ndërsa u miratua, sipas tij, një raport i misionit faktmbledhës dhe një rezolutë e veçantë për situatën në vend.
Sipas Berishës, dokumenti e paraqet Shqipërinë si një shtet ku pushtetet janë të përqendruara në një dorë të vetme dhe ku, sipas tij, ka kontroll të medias dhe drejtësisë.
“Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin.”
Ai pretendoi gjithashtu se raporti ngre shqetësime për patronazhistët, blerjen e votës dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor, si dhe për korrupsionin, koncesionet dhe prokurimet publike.
“Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale… Shqipëria ka ndërtuar një rrjet patronazhistësh, sistemin e blerjes së votës, ka angazhuar grupet kriminale për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve.”
Berisha tha se raporti përmend edhe çështje që lidhen me AKSHI-n, koncesionet dhe PPP-të, si dhe raste që sipas tij lidhen me korrupsionin dhe prokurimet publike.
Në deklaratën e tij, ai theksoi se Shqipëria ishte në fokus të punimeve të asamblesë së PPE, ku, sipas tij, u diskutuan zhvillimet politike dhe institucionale në vend.