Vendosni fjalën kyçe....

YouTube arrin marrëveshje me adoleshentin që e akuzoi për varësi nga rrjetet sociale



Platforma e videove YouTube, në pronësi të Google, ka arritur një marrëveshje me një adoleshent nga Florida, i cili pretendonte se dizajni i platformës kishte ndikuar negativisht në shëndetin e tij mendor duke nxitur varësinë nga rrjetet sociale, përcjell DW.

Sipas avokatëve të paditësit, kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike. Padia ishte ngritur nga një 16-vjeçar, i identifikuar në dokumentet gjyqësore me inicialet R.K.C., i cili pretendon se u bë i varur nga rrjetet sociale pasi nisi t’i përdorte ato që në moshën tetëvjeçare.

Sipas padisë, adoleshenti fajësoi veçori të platformave sociale si “scroll”-i i pafund dhe riprodhimi automatik i videove, të cilat sipas tij nxisin përdorimin kompulsiv.

Ai deklaroi se varësia nga rrjetet sociale i shkaktoi humbje të gjumit, si dhe probleme me depresionin dhe ankthin.

Avokatët e tij thanë se vendimi i YouTube për ta zgjidhur çështjen jashtë gjykatës, në vend që të përballej me një juri, “flet vetë”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Google, Jose Castaneda, deklaroi se kompania është e përqendruar në krijimin e produkteve të përshtatshme për moshat e reja dhe në ofrimin e kontrolleve prindërore, duke shtuar se mosmarrëveshja është zgjidhur në mënyrë miqësore.

Padia përfshinte gjithashtu edhe platformat Instagram, në pronësi të Meta, Snapchat të kompanisë Snap Inc., si dhe TikTok të kompanisë ByteDance. Këto kompani pritet të përballen me gjyqin në muajin korrik.

Mijëra padi të ngjashme janë ngritur në Shtetet e Bashkuara, ku kompanitë e rrjeteve sociale akuzohen se kanë projektuar platformat e tyre për të maksimizuar angazhimin e përdoruesve, duke neglizhuar mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Në mars, një juri në Kaliforni arriti në përfundimin se Meta dhe YouTube mbanin përgjegjësi për krijimin e platformave me karakteristika që nxisnin varësinë, pa marrë në konsideratë ndikimin te përdoruesit e rinj.

Padia ishte ngritur nga një 20-vjeçare, e cila pretendonte se shëndeti i saj mendor ishte dëmtuar nga përdorimi i rrjeteve sociale gjatë fëmijërisë.

Juria urdhëroi Metën të paguante 4.2 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa Google u detyrua të paguante 1.8 milionë dollarë.

Kompanitë e teknologjisë i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza, duke theksuar se kanë ndërmarrë masa të shumta sigurie për mbrojtjen e përdoruesve të mitur.