
Studiuesi dhe historiani Auron Tare ka deklaruar se pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në protestën e sotme në Tiranë përfaqëson një shenjë të qartë të rebelimit të rinisë kundër mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes për pasuritë natyrore e kulturore të vendit.
Sipas Tares, revolta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e mediave të rëndësishme ndërkombëtare, duke e kthyer Tiranën në qendër të interesit mediatik.
“Kemi një rebelim të madh të rinisë për të thënë që nuk është më e pranueshme që arkitekturën, peizazhet, trashëgiminë kulturore apo vendin ta ketë vetëm një person në dorë. Ky është thelbi i kësaj proteste të madhe në bulevard”, u shpreh Tare.
Ai tregoi se së fundmi ka zhvilluar një bisedë të gjatë me një gazetar të revistës The New Yorker, i cili ndodhet në Shqipëri për të ndjekur zhvillimet në vend.
“Tirana është pak a shumë në një situatë lufte mediatike, ku disa prej mediave më të rëndësishme të botës kanë zbarkuar në Shqipëri. Një situatë e tillë ka ndodhur vetëm gjatë luftës së Kosovës”, tha ai.
Historiani ngriti shqetësime të forta për atë që e cilësoi si transformim të pakthyeshëm të zonave të mbrojtura dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare. Sipas tij, vitet e fundit janë miratuar ndryshime ligjore që kanë hapur rrugën për ndërtime në zona të mbrojtura natyrore dhe arkeologjike.
Tare u ndal veçanërisht te rasti i Parkut Kombëtar të Butrintit, duke pretenduar se menaxhimi i tij iu transferua Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) përmes një procesi që ai e konsideron të manipuluar.
Sipas tij, ndryshimet ligjore të viteve të fundit kanë krijuar mundësi për zhvillime turistike dhe resorte në zona të mbrojtura, duke rritur presionin mbi mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.
Historiani përmendi si shembuj zona si Zvërneci, Pishë Poro, Narta, Delta e Vjosës, Thethi dhe Valbona, për të cilat tha se po përballen me rrezik në rritje nga zhvillimet ndërtimore.
Sipas Tares, modeli i zhvillimit të turizmit i ndjekur vitet e fundit, i bazuar kryesisht në rritjen e numrit të vizitorëve, ka shtuar presionin mbi natyrën dhe zonat e mbrojtura, duke rrezikuar ekuilibrat mjedisorë dhe pasuritë më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë.