Vendosni fjalën kyçe....

Tensione në negociatat SHBA-Iran, Trump: Asnjë tarifë në Hormuz ose marrëveshja bie


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani i ka garantuar Uashingtonit se nuk do të vendosë tarifa apo pagesa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se Teherani ka informuar administratën amerikane se nuk po kërkon dhe nuk do të kërkojë asnjë tarifë, kosto sigurimi apo pagesë tjetër nga anijet që lundrojnë në këtë rrugë detare strategjike, përcjell JP.

“Irani ka informuar SHBA-në se, pavarësisht raportimeve të rreme të mediave, nuk po kërkon dhe nuk po merr asnjë tarifë, kosto sigurimi apo pagesë të çfarëdo lloji nga anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit,” shkroi Trump.

Presidenti amerikan paralajmëroi se negociatat mes dy vendeve do të ndërpriten menjëherë nëse kjo deklaratë rezulton e pavërtetë.

“Nëse ky informacion është i rremë, negociatat do të përfundojnë menjëherë,” theksoi ai.

Deklarata vjen në një moment kur SHBA-ja dhe Irani po përpiqen të çojnë përpara marrëveshjen kornizë të arritur javën e kaluar, e cila synon uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Megjithatë, palët kanë dhënë versione të ndryshme mbi disa çështje kyçe, përfshirë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e sanksioneve dhe konfliktin paralel mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Kuvajt njoftoi se ka rifilluar normalisht aktivitetin, pas pezullimit të përkohshëm të operacioneve për shkak të sulmeve të fundit iraniane në rajon.