
Po mbahet në GJKKO seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.
Gjatë fjalës së tij në sallën e gjyqit, Meta u ndal te çështja CEZ-DIA, duke kundërshtuar pretendimet e ish-ministrit Dritan Prifti për përfshirjen e tij në këtë aferë.
“Do bëj dy plotësime për CEZ DIA. Gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ DIA. Ka një email që i ka dërguar Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës. Ky Dritan Prifti thotë që “nuk kam firmosur kurrë, mund ta kem takuar…”, deklaroi ish-presidenti.
Gjatë seancës në GJKKO, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, vijoi mbrojtjen e tij lidhur me çështjen CEZ-DIA, duke iu referuar dëshmisë së një prej ish-drejtuesve të CEZ, Josef Heisek.
Sipas Metës, Heisek ka dhënë deklarime të ndryshme në periudha të ndryshme lidhur me mënyrën se si iu prezantua kompania DIA.
“Në dëshminë e tij, z. Heisek në 2011 thotë:
Nuk e njoh personin që më prezantoi CEZ DIA. Më pas, në 2014, kujton se ia prezantoi Qazim Tepshi. Ishin disa kompani, ka thënë ai, dhe ne morëm disa të dhëna për DIA-n. Ajo që na bindi ishte DIA amerikane”, citon Meta.
Sipas dëshmive në dosjet hetimore dhe në arbitrazh, Qazim Tepshi, ambasadori i Shqipërisë në Çeki, ka qenë njeriu që ka prezantuar biznesmenin Kastriot Ismailaj me drejtuesit e kompanisë CEZ në Pragë.
“Më sill mua patronazhistin që e ka nisur. Është shumë e thjeshtë me teknologjinë që ka avancuar që të niset një mesazh i tillë. Unë isha në opozitë. Është e pamundur që unë të nisja një mesazh të tillë për diçka që do të ndodhte 14 muaj më pas.”, deklaroi Meta.