Debate dhe tensione janë shënuar në mbledhjen e Komisionit për Reformën Territoriale, ku deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përplasur me kryebashkiakun e Gramshit, Beison Ajazi, i pranishëm në cilësinë e të ftuarit në dëgjesë.
Debati nisi pasi Ajazi ndërhyri teksa Zhupa po fliste dhe po i referohej protestave qytetare. Deputetja demokrate reagoi duke i kërkuar kryebashkiakut të mos ndërpriste fjalën e saj.
“Të nderuar kolegë, nuk kam ndërmend as t’ju kërkoj çfarë do flas, as t’ju pëlqej për atë që po flas. Ju mund të prisni. Mungesa e durimit reflektohet në atë sheshin të mbushur me qytetarë. Keni një pushtet vendor që sot nuk ka zë. Vetë po t’i pyesësh, ata të thonë që nuk e kanë idenë se çfarë planesh kanë mbi bashkinë e tyre. Po ti do vendosësh se çfarë është procedura? Rri aty, mbaj vendin si i ftuar,” u shpreh Zhupa.
Në debat ndërhyri edhe bashkëkryetari i komisionit, Arbian Mazniku, i cili kundërshtoi tonin e përdorur ndaj kryebashkiakut të Gramshit.
“Mos i thuaj asnjë të zgjedhuri nga qytetarët ‘rri e mbaj vendin’. Ai atje ka marrë më shumë vota se ty,” iu përgjigj Mazniku deputetes së PD-së.
Përplasja ndodhi gjatë diskutimeve për reformën territoriale, një proces që pritet të përfundojë me rekomandime konkrete brenda muajit korrik.
