Vendosni fjalën kyçe....

Tri degë të LDK-së kërkojnë dorëheqjen e Lumir Abdixhikut pas rezultateve zgjedhore



Tri struktura të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar atë përgjegjës për rezultatet e dobëta zgjedhore dhe situatën aktuale politike të subjektit.

Në një deklaratë publike, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë vlerëson se partia po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj, duke theksuar se humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore e kanë çuar atë drejt margjinalizimit politik.

“Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Sipas kësaj dege, situata kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike nga të gjitha nivelet e partisë, por theksohet se përgjegjësia kryesore për humbjen në tri palë zgjedhjet e fundit i takon lidershipit.

“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet më tej në reagim.

Edhe Dega e LDK-së në Pejë ka njoftuar se, pas një mbledhjeje të kryesisë, me shumicë votash ka kërkuar dorëheqjen e lidershipit të partisë, përkatësisht të kryetarit Abdixhiku, si akt moral pas rezultatit zgjedhor.

Sipas kësaj dege, përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja qendrore e partisë.

Ndërkohë, edhe Dega e LDK-së në Lipjan, pas një mbledhjeje me kryetarët e nëndegëve dhe analizimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka dalë me të njëjtin qëndrim.

“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagimin e degës së Lipjanit.

Kërkesat e tri degëve vijnë në një moment debatesh të brendshme në LDK lidhur me rezultatin zgjedhor dhe drejtimin e ardhshëm të partisë, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Lumir Abdixhiku për këto kërkesa.