Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me tensionet e ditëve të fundit në Aeroportin e Vlorës, ku kamionë të kompanisë “2A Group” të Valon Ademit kanë bllokuar portën kryesore të kantierit, duke penguar hyrjen e nënkontraktorëve të kompanisë MABCO të Behgjet Pacollit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa ironizoi situatën duke deklaruar se aksionerët e aeroportit i ka zënë “mallkimi i flamingove”, ndërsa akuzoi qeverinë se ka injoruar paralajmërimet e ekspertëve dhe ka vendosur interesat e ngushta mbi ligjin dhe interesin publik.
“‘Mallkimi i flamingove’ ka zënë aksionerët e aeroportit të Vlorës dhe ‘Revolucioni i Flamingove’ do të zërë edhe qeverinë e korrupsionit, që mendoi se mund të sfidonte ligjin, natyrën dhe interesin e qytetarëve pa pasoja”, shkruan Zhupa.
Deputetja rikujton se që në vitin 2021 kishte denoncuar projektin e Aeroportit të Vlorës si një kërcënim për ekosistemin e zonës Vjosë-Nartë, duke argumentuar se procedurat ligjore dhe mjedisore nuk ishin respektuar.
“Më 28 nëntor 2021, qeveria inauguronte me bujë Aeroportin e Vlorës si një histori suksesi. Por pas fasadës propagandistike fshihej një projekt i ngritur mbi shkelje të ligjit. U miratua një leje nga KKRT pa u kryer Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, pa respektuar konventat ndërkombëtare dhe pa zbatuar legjislacionin shqiptar që mbron zonat e mbrojtura”, shprehet ajo.
Zhupa thekson se kishte ngritur vazhdimisht shqetësimet në Kuvend, duke iu referuar raporteve të Bashkimit Europian dhe paralajmërimeve të ekspertëve për ndikimin e projektit në biodiversitet dhe sigurinë e aviacionit.
“Në seancat e Kuvendit e kam denoncuar këtë projekt si një kërcënim serioz për ekosistemin Vjosë-Nartë. Por pushteti nuk pyeti as për ligjin, as për ekspertët, as për interesin publik”, vijon reagimi.
Në përfundim, deputetja demokrate lidh konfliktet aktuale mes aksionerëve dhe proceset gjyqësore me mënyrën se si është trajtuar projekti që në fillimet e tij.
“Kjo është pasoja e një qeverisjeje që vendos interesat e ngushta mbi ligjin dhe interesin publik”, përfundon Zhupa.
