Vendosni fjalën kyçe....

Fatos Lubonja: Pse Ilir Meta ka të drejtë për Unazën e Re


Analisti dhe publicisti Fatos Lubonja, ka komentuar reagimin publik të presidentit të Republikës Ilir Meta, lidhur me çështjen e Unazës së Re dhe kërkesën e tij për anulimin e projektit që parashikon shembjen e banesave të qytetarëve.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në “News 24”, Lubonja tha se për të dalë në këtë konkluzion P Meta i ka bërë kërkesë institucioneve për t’u mirëinformuar për këtë projekt dhe është plotësisht në të drejtën e tij.

 “Të mos harrojmë se ngjarja u bë ngjarje kur u denoncua falsifikimi në News 24. Qëndrimi i Presidentit ka një vlerë tjetër. Unë nuk dua ta shoh këtë si një konflikt mes dy personash, dua ta shoh si mënyrë të funksionimit të ligjit në Shqipëri. Ata që kanë detyrë t’i përfillin nuk i përfillin (Në këtë rast Qeveria nuk përfilli Presidentin) Kjo i tejkalon të gjitha caqet. Është ligji që duhet t’i përgjigjesh. Presidenti rendit nja 8 raste kur është nëpërkëmbur nga institucionet e shtetit që duhet ta informojnë. Dhe kjo tregon se kjo pjesë e shtetit që është qeveria kujton se është i gjithë shteti dhe nuk del përtej, atëherë ky është një problem i madh për demokracinë. Padyshim reagimi lidhet me vetë faktin se si është dhënë ky tender. Grabiten 20 milion euro, ditën për diell, nga institucionet e shtetit dhe nuk heton prokuroria. Nuk arrestohet, nuk hetohet personi që qëndron prapa këtij skandali një 26 vjeçarit. Pra shteti vjedh se s’ka frikë nga askush, opozita nuk quhet, Presidenti nuk quhet, atëherë ku jemi?”, thotë Lubonja.

Lubonja shton se projekti i Unazës së Re duhet të anulohet sepse është një projekt i cili parashikonte vjedhjen që në fillim.

“Unaza e re ishte një projekt për të vjedhur. Lekët nuk mund të shkojnë tek Unaza kur mund të shkojnë për studentët, tek arsimi etj. Ka shumë gjëra të tjera primare për të investuar.”, shprehet Lubonja.

 Ndërsa mbështet qëndrimin e presidentit, Lubonja shton se dikush duhet të japë llogari për vjedhjen e 20 milion eurove në atë projekt: “Demokracia është kontroll pushtetesh. Ke një president që mendon se ka të drejtë, nga ana tjetër është ekzekutivi dhe nga ana tjetër media. Nëse kryeministri thotë media është kazan, nëse Presidentin e quan kryetar opozite ndaj është demokracia ajo ka një gjykatës. Ky karagjozi i Bashkisë thotë Presidenti i rrugëve…Por duhet dhënë përgjigje për vjedhjen 20 milion euroshe, ose ndryshe duhet lënë drejtësia të veprojë”.

Pas takimit me banorët e Astirit, presidenti i Republikës Ilir Meta mbajti publikisht qëndrimin e tij lidhur me çështjen, duke kërkuar anullimin e menjëhershëm të projektit të Unazës së Madhe për lotin e parë.

Sipas Metës, gjatë procesit ka patur një sërë shkeljesh ligjore, që nga mungesa e transparencës nga ana e institucioneve, procesi i trukuar i tenderimit etj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *