
Banorët e Nikaj Mërturit në Tropojë kanë denoncuar punimet në zonën e mbrojtur. Sipas tyre, makineri të rënda kanë nisur punimet në shtratin e lumit, duke ngritur dyshime të bazuara për ndërtimin e mundshëm të ndonjë hidrocentrali (HEC) apo pritave ujore, ndonëse deri më tani askush nuk ka parë një projekt zyrtar apo leje mjedisore.
Ata theksojnë se ndërhyrjet me mjete të rënda kërcënojnë drejtpërdrejt natyrën e virgjër dhe ekuilibrin ekologjik të kësaj krahine ndërkohë punimet rrezikojnë të dëmtojë bizneset e bujtinave dhe turizmin e qëndrueshëm, i cili është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave për komunitetin përgjatë viteve të fundit.
Ajo që e rëndon më shumë situatën është mungesa totale e informacionit. Sipas denoncimeve të vetë banorëve, punimet po kryhen në fshehtësi të plotë. As kryeplaku i fshatit dhe as administratori i njësisë lokale nuk kanë dijeni se çfarë po ndodh, ndërsa Bashkia Tropojë ka zgjedhur të heshtë duke mos kthyer asnjë përgjigje ndaj interesimit të banorëve, shkruan Joq.
Komuniteti kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të inspektuar terrenin, për të zbardhur projektin dhe për të garantuar mbrojtjen e pasurive natyrore të zonës.