
Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj intervistës së kryeministrit Edi Rama për “Financial Times”, duke e akuzuar atë për përdorim të një gjuhe të papërshtatshme në një media ndërkombëtare prestigjioze.
Berisha tha se dënon “sharjet e pakualifikueshme” që, sipas tij, Edi Rama ka përdorur ndaj shqiptarëve gjatë intervistës, duke e cilësuar këtë sjellje si të papranueshme për një kryeministër.
Ai shtoi se reagimi i kreut të qeverisë ka qenë “shokues” për gazetaren dhe publikun ndërkombëtar të pranishëm në intervistë, duke pretenduar se mënyra e komunikimit nuk reflekton vetëm arrogancë politike, por një qasje më të thellë autoritare.
“Dënoj sharjet e pakualifikueshme që Rama iu bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. Ju garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Rama ka përdorur në ‘Financial Times’. Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Ai nuk sillet si padrino, por shumë më keq se padrino. Ai e konsideron Shqipërinë si një sulltanat të kohërave të shkuara”, deklaroi Berisha.