
17 kilometrat e rrugës Milot Balldren do kushtojnë 365 milionë euro dhe do ndërtohen me modelin Partneritet Publik-Privat dhe koncesioni do zgjatë 35 vjet.
Ministri i Infrastrukturës Karakaçi tregoi hollësitë e projektit që sipas tij do shmangë trafikun. Rruga do ndërtohet sipas standardeve të autostradës së kategorisë A, me nga dy korsi qarkullimi dhe korsi emergjence në secilin drejtim. Ky aks do ketë një gjurmë tërësisht të re, ndërsa rruga ekzistuese do vijojë si rrugë alternative.
Po ashtu, Karakaçi njofton se projekti përfshin ndërtimin e një tuneli modern me dy tuba, secili me gjatësi 850 metra, që do të mundësojnë anashkalimin e qytetit të Lezhës.
Tuneli është pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, ku aktualisht nuk ekziston infrastrukturë rrugore. Autostrada do të përfshijë gjithashtu ura, nyje lidhëse, rrugë shërbimi, sisteme inteligjente monitorimi të trafikut dhe infrastrukturën e tarifimit.


