Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i djathtë Abelardo De La Espriella zgjidhet president i Kolumbisë


Kolumbia zgjodhi avokatin nacionalist Abelardo De La Espriella si presidentin e saj të ri të dielën, sipas një numërimi fillestar të votave, duke shënuar një kthesë të mprehtë politike dhe duke nxjerrë në pah një axhendë të ashpër sigurie dhe politika miqësore ndaj tregut.

I quajtur me nofkën “Tigri” nga ndjekësit e tij, De La Espriella e portretizoi veten si një shpëtimtar anti-establishment, i aftë për të ringjallur ekonominë e dobët të Kolumbisë dhe për të rivendosur rendin në një vend të tronditur nga grupet e armatosura të paligjshme dhe trafiku i drogës, shkruan Reuters.

De La Espriella filloi të fitonte popullaritet në fillim të vitit me fjalimet e tij të ashpra kundër krimit. Ai arriti një fitore në raundin e parë në fund të majit me 43.7% të votave dhe më pas mundi senatorin e majtë Ivan Cepeda në balotazh me 49.66% kundrejt 48.7% të Cepeda-s, sipas numërimit të regjistrimit kombëtar.

De La Espriella, i cili fajëson presidentin në largim Gustavo Petro për problemet ekonomike dhe të sigurisë së Kolumbisë, fitoi mbështetjen e një numri të madh votuesish me premtimet për të zvogëluar madhësinë e shtetit me 40%, për të zgjeruar bazën tatimore dhe për t’i dhënë fund përpjekjeve për paqe me grupet e armatosura në favor të një përgjigjeje të ashpër ushtarake.