Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesi kujton 21 Janarin: Katër shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet këtë zotërinë


Protesta e 22-të kundër qeverisë po shoqërohet si çdo ditë me deklarata të forta nga qytetarët e mbledhur përpara Kryeministrisë. Një prej protestuesve mori fjalën duke kujtuar ngjarjet e 21 Janarit 2011, ndërsa tha se katër viktimat e asaj proteste ishin miq të tij.

Ai deklaroi se kishte qenë i pranishëm në protestën e 21 Janarit dhe akuzoi klasën politike për manipulimin e qytetarëve ndër vite.

“Ne kemi gjak shqiptari, partia ka marrë fund. Unë këtu kam qenë më 21 janar 2011. Katër shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet këtë zotërinë që është sot. Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj duan drejtësi,” u shpreh protestuesi.

Më tej, ai i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë dhe zbardhë plotësisht ngjarjen e 21 Janarit, duke kërkuar përgjegjësi për figurat kryesore politike të vendit.

“Thërrasim SPAK-un, sepse Rama dhe Berisha kanë vrarë,” deklaroi ai mes turmës së mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë.

Deklarata u prit me duartrokitje dhe thirrje nga një pjesë e protestuesve, ndërsa protesta vijoi me fjalime të tjera dhe kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama.