Vendosni fjalën kyçe....

Nis marshimi i protestës së 22-të, qytetarët drejt Kryeministrisë: “Edi Rama, jep dorëheqjen”


Ka nisur mbrëmjen e sotme protesta e 22-të radhazi kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, me qindra qytetarë që janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit kanë nisur lëvizjen përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, ndërsa të tjerë janë grumbulluar përpara godinës së Kryeministrisë me flamuj kombëtarë dhe pankarta proteste.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër kryeministrit, ku protestuesit kanë kërkuar largimin e tij nga detyra.

“Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë,” ishte një nga sloganet e artikuluara nga turma.

Numri i pjesëmarrësve vijon të rritet, ndërsa në protestë janë bashkuar edhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, si dhe shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë me tubim përpara Kryeministrisë dhe me fjalime të përfaqësuesve të lëvizjes qytetare, të cilët prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike në vend.