Një prej protestuesve që u prezantua si përfaqësues i diasporës shqiptare lëshoi një ultimatum ndaj qeverisë gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës para Kryeministrisë.
Mes brohoritjeve të turmës, ai deklaroi se emigrantët shqiptarë kanë vendosur të qëndrojnë në shesh deri në plotësimin e kërkesës së tyre për dorëheqjen e qeverisë.
“Për ju skutha pas dritareve që jeni tradhtarë, vij me një mesazh nga diaspora: një ultimatum, deri nesër keni afat që të jepni dorëheqjen, përndryshe diaspora ka vendosur që nuk do lëvizë nga ky shesh!”, u shpreh protestuesi.
Ai paralajmëroi se protesta mund të shndërrohet në një qëndresë të përhershme, duke theksuar se qytetarët nuk do të largohen nga bulevardi deri në arritjen e objektivit të tyre.
“Këtu do rrimë dhe nuk do ikim më! Nuk do ikim, do rrimë këtu derisa të jepni dorëheqjen, 24 në 24!”, deklaroi ai.
Thirrja e protestuesit u shoqërua me duartrokitje dhe mbështetje nga të pranishmit, ndërsa protesta vijoi me fjalime të tjera kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
