Vendosni fjalën kyçe....

Mijëra qytetarë marshojnë drejt kryeministrisë në protestën e 20-të kundër Ramës


Mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt kryeministrisë në protestën e 20-të radhazi kundër qeverisë Rama. Ata kërkojnë largimin e kreut të qeverisë. Qytetarët janë shprehur se qeveria i ka kapërcyer të gjithë kufijtë për sa i përket korrupsionit, arrogancës e abuzimit me pushtetin ndërsa kërkojnë ndryshim. Qytetarët janë shprehur se nuk kanë ndërmend të dorëzohen deri në arritjen e qëllimeve.

Për gati tre javë rresht, qytetarët kanë dalë në rrugët e Tiranës për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe për të kërkuar ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Edhe këtë mbrëmje pritet që, pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të vijojnë me një marshim nëpër akset kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë kërkesat dhe mesazhet e tyre.

Sipas pjesëmarrësve, protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesës kryesore, që është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Një protestues nga Lezha ka mbajtur një deklaratë gjatë tubimit, ku është shprehur se ka marrë pjesë në protestë “me forcën e shpirtit” për të mbështetur, siç e cilësoi ai, “rinia që ka zgjuar shpresën”.

Ai tha se të rinjtë kanë vënë në lëvizje shoqërinë dhe u bëri thirrje kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha që të largohen në mënyrë paqësore, pa i lodhur më tej të rinjtë. Sipas tij, një tërheqje e tillë do të ndihmonte që rinia “të harronte disa nga gabimet e tyre”.

Më tej, protestuesi përdori një krahasim të fortë, duke i përshkruar figurat politike si “ushunjëza” që nuk largohen lehtë, duke shtuar se ato duhet të tërhiqen në mënyrë të qetë për të shmangur përplasjet.

Ai theksoi gjithashtu se, megjithëse personalisht jeton mirë, vendi përballet me mungesa në sistemin shëndetësor dhe arsimor, të cilat sipas tij mbeten probleme serioze në Shqipëri.