
Profesori i njohur Lush Susaj ka mbajtur një fjalim para Kryeministrisë gjatë protestës së 17-të kundër qeverisë, ku ka përcjellë mesazhe të forta për situatën në arsim dhe për të rinjtë shqiptarë.
Ai shprehu vlerësim për pjesëmarrësit në protestë, duke theksuar se vendi ka nevojë për qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm. Susaj u ndal veçanërisht te gjendja e arsimit, duke deklaruar se studentët kanë qenë ndër shtresat më të dëmtuara gjatë dekadave të fundit dhe se universitetet janë prekur nga korrupsioni dhe ndikimi politik.
Profesori u bëri thirrje qytetarëve të tregohen më të përgjegjshëm dhe të mbështesin ata që, sipas tij, mund të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit arsimor dhe në mbajtjen e të rinjve në universitetet shqiptare.
Gjatë protestës ka folur edhe një vajzë e re, e cila kritikoi projektet e qeverisë, duke deklaruar se ato nuk kanë qenë në interes të qytetarëve. Ajo i kërkoi kryeministrit të anulojë projektet dhe të largohet nga drejtimi i vendit.
Ndërkohë, një tjetër i ri që mori fjalën para protestuesve sfidoi kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai është i vetmi i zhgënjyer nga fakti se protestat nuk po zbehen. Sipas tij, shqetësimi më i madh lidhet me largimin e profesionistëve dhe të rinjve nga vendi.
Ai ngriti pyetje mbi mungesën e inxhinierëve, mjekëve dhe profesionistëve të tjerë që, sipas tij, do të duhej të kontribuonin në ndërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke ia atribuar këtë situatë politikave të ndjekura ndër vite.