Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti i Koresë së Jugut dënohet me 30 vite burg për dërgimin e dronëve në Korenë e Veriut



Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar këtë të premte ish-presidentin Yoon Suk Yeol me 30 vite burg, pasi e shpalli fajtor për dërgimin e dronëve në territorin e Koresë së Veriut, përcjell DW.

Sipas prokurorëve, veprimi i Yoon ishte një përpjekje e qëllimshme për të rritur tensionet me Phenianin dhe për të justifikuar tentativën e tij të dështuar për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake në dhjetor të vitit 2024.

Vendimi u dha nga Gjykata Qendrore e Seulit, e cila e gjeti ish-presidentin fajtor për shpërdorim detyre dhe ndihmë ndaj armikut. Yoon ka mohuar akuzat ndaj tij.

Po ashtu, me 30 vite burg u dënua edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Kim Yong Hyun, i konsideruar një nga bashkëpunëtorët kryesorë në këtë çështje.

Problemet ligjore të Yoon nisën pas vendimit të tij për të vendosur ligjin ushtarak, një masë që çoi në shkarkimin e tij nga detyra. Ai u padit për disa vepra penale që lidhen me këtë vendim dhe u largua zyrtarisht nga posti në prill 2025.

Më herët, në shkurt, Yoon ishte dënuar me burgim të përjetshëm për drejtimin e një kryengritjeje dhe cenimin e rendit kushtetues. Gjykata kishte argumentuar se vendimi i tij për të shpallur ligjin ushtarak synonte paralizimin e Kuvendit Kombëtar.

Çështja lidhet me një incident të ndodhur në tetor 2024, kur Koreja e Veriut pretendoi se dronë të Koresë së Jugut kishin fluturuar mbi Phenian tri herë për të hedhur fletushka propagandistike. Në atë kohë, autoritetet në Seul nuk e konfirmuan dhe as nuk e mohuan zyrtarisht ngjarjen.

Avokatët e Yoon kanë deklaruar se ish-presidenti nuk kishte urdhëruar dhe as miratuar operacionin me dronë, duke argumentuar se ai ishte një reagim ndaj balonave me mbetje që Koreja e Veriut kishte dërguar drejt jugut dhe përbënte një akt legjitim vetëmbrojtjeje.

Yoon, i cili ndodhet tashmë në paraburgim, ka të drejtën të apelojë vendimin e gjykatës.