Vendosni fjalën kyçe....

Berisha ndryshon mendje për Zvërnecin: Urgjentisht mocion me debat me Ramën, ligjet që keni ndryshuar, antikushtetuese


Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka dalë në mbështetje të protestës kundër investimit në Zvërnec, duke i cilësuar kërkesat e protestuesve si “absolutisht të drejta”, pavarësisht se më herët kishte deklaruar se investime të tilla janë të nevojshme për zhvillimin e vendit.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha e cilësoi protestën si “epike” dhe kërkoi që parlamenti të lërë mënjanë çdo çështje tjetër për t’u fokusuar te kërkesat e protestuesve. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se e konsideron shtetin si pronë personale dhe se po dëmton mjedisin dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

Berisha kërkoi mocion me debat dhe i bëri thirrje drejtuesve të Kuvendit të “distancohen nga Edi Rama”, duke paralajmëruar se mosdëgjimi i protestuesve do të ishte një “gabim historik”.

“Sot, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në të katër anët e rajonit dhe të botës, kudo që ndodhen, presin nga ky parlament përgjigje të menjëhershme të kërkesave të dhjetëra mijëra dhe qindra mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptarë, që prej 12 ditësh janë në një protestë epike, paqësore, me një seri kërkesash absolutisht të drejta, me të cilat nuk synojnë gjë tjetër veçse të shpëtojnë Shqipërinë nga një njeri, që konsideron shtetin dhe vendin si pronë të tij personale.

Ttnë të katër anët e tij. Të shpëtojnë trashëgiminë shekullore të kombit që po pëson sulme barbare nga oligarkët, klanet dhe lobingjet e afërta të Edi Ramës.

Ndaj dhe t’i lëmë mënjanë, ata janë qytetarë shqiptarë, janë para së gjithash të rinj shqiptarë, të cilët në protestën e tyre, me një gjë janë 100 përqind të sinqertë, duan që ëndrrën ta vendosin në këtë vend. Duan që me ëndrrën e tyre të bëjnë Shqipërinë.

Ndaj dhe të mos merremi me asgjë tjetër, të merremi me plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkoj urgjentisht mocion me debat me kreun tuaj.

Kërkoj urgjentisht që parlamenti të ketë në axhendë të vetmen çështje, kërkesat që janë absolutisht legjitime pasi të gjitha ligjet që keni ndryshuar janë antikushtetuese.

Dëgjimi i zërit të tyre është domosdoshmëri absolute, përndryshe do të jetë vonë dhe do jetë një gabim i madh historik që bëhet. Ndaj zoti kryetar, ushtro të gjithë autoritetin, distancohuni nga Edi Rama dhe ktheni axhendën e parlamentit”, tha Berisha.