
Gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë, disa qytetarë kanë ndarë histori personale, duke rrëfyer vështirësitë ekonomike dhe sociale që, sipas tyre, kanë përjetuar në jetën e përditshme.
Një protestuese foli për gjendjen shëndetësore të të atit, i cili sipas saj ka kaluar një sërë ndërhyrjesh mjekësore dhe ka humbur të dyja këmbët.
Ajo deklaroi se familja e saj ka përballuar vetë pjesën më të madhe të shpenzimeve mjekësore, ndërsa shteti ka mbuluar vetëm një ndërhyrje. Protestuesja përshkroi edhe një periudhë trajtimi në Turqi, ku sipas saj, babai i saj pësoi komplikacione shëndetësore gjatë transportit dhe më pas u kthye në Shqipëri. Ajo tha gjithashtu se hasën vështirësi ligjore për të ndjekur një ankesë ndaj spitalit ku ishte trajtuar rasti.
Një tjetër qytetare, gjithashtu pjesë e protestës, ndau historinë e saj personale të rritjes në kushte të vështira ekonomike, duke theksuar se është rritur pa babain dhe me një nënë që ka përballuar e vetme sfidat e jetës. Ajo foli për emigrimin e të rinjve dhe për pasojat sociale që, sipas saj, ka sjellë kjo dukuri në familjet shqiptare.
Në fjalën e saj, ajo kritikoi ashpër gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke theksuar se shumë familje përballen me varfëri dhe mungesë perspektive. Protestuesja e mbylli deklaratën e saj me thirrje për ndryshim dhe për një të ardhme më dinjitoze për qytetarët në Shqipëri.
“Unë kam 17 vite që punoj dhe të gjitha shpendimet tona, të miat dhe vëllait tim, kanë shkuar për fatura spitalesh. Babai im është operuar mbi 26 herë. Në momentin që flasim, ai ka humbur të dyja këmbët. Shteti vetëm një operacion të tij ka pranuar dhe për të gjitha të tjerat thonë që nuk mund t’i bëjmë, nuk kemi mjetet. Dhe i fundit ishte që ne na u desh të shkonim në Turqi. Ata bënë një gabim dhe ai trompozë në avion. Pasi u kthyem këtu, as drejtësia jonë nuk lejonte që unë të bëja denoncim për spitalin në Turqi, sepse spitali në Turqi qenka i dhënë drejt Erdoganit. Doja të flisja për këtë histori, për të thënë që ne duhet të çoheni, pavarësisht se jemi një brez që sot s’kemi asgjë në vijë”, tha protestuesja.