Bashkimi Europian dhe Qeveria e Shqipërisë zhvilluan në Tiranë dy mbledhje monitorimi për të vlerësuar ecurinë e reformave dhe zbatimin e asistencës financiare të BE-së në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA).
Takimet, të bashkëkryesuara nga Koordinatorja Kombëtare e IPA-s dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje, Eridana Çano, si dhe nga përfaqësuesja e Komisionit Europian, Sigrid Brettel, u fokusuan në arritjet e deritanishme, sfidat e hasura dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.
Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, u shqyrtua zbatimi i Agjendës së Reformave të Shqipërisë në pesë fusha kryesore: mjedisi i biznesit, kapitali njerëzor, energjia, transformimi digjital dhe infrastruktura, si dhe shteti i së drejtës.
Sipas të dhënave të prezantuara, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 hapat e reformave në periudhën e parë të raportimit dhe 12 nga 21 në periudhën e dytë. Si rezultat i këtij progresi, Bashkimi Europian ka disbursuar deri tani 213 milionë euro nga fondi total prej 922 milionë eurosh, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi rëndësinë strategjike të procesit të reformave, duke deklaruar se “Instrumenti për Reforma dhe Rritje është një mjet për ndryshime të thella strukturore që do t’i mbijetojnë vetë programit, duke formësuar kapacitetet, kulturën e llogaridhënies dhe koherencën e politikave të shtetit shqiptar në afatgjatë.”
Ajo shtoi se raportimi i radhës në korrik do të jetë një provë e rëndësishme për administratën shqiptare dhe për ecurinë e procesit të integrimit europian.
“Nuk kërkojmë vetëm këstin e radhës së fondeve. Po ndërtojmë historikun që do ta përcaktojë Shqipërinë si partner të besueshëm, të parashikueshëm dhe me performancë të fortë të Bashkimit Europian,” u shpreh Koçiu.
Nga ana e saj, Sigrid Brettel vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se “performanca e Shqipërisë është e mirë dhe ne duam t’ju mbështesim që ajo të bëhet e shkëlqyer.”
Ajo nënvizoi se periudha e ardhshme do të jetë vendimtare për përmbushjen e reformave dhe se vendet me rezultatet më të mira mund të përfitojnë financime shtesë nga Bashkimi Europian.
Në mbledhjen vjetore të monitorimit të IPA-s u shqyrtua ecuria e rreth 150 projekteve në zbatim që mbështesin procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Që nga viti 2007, Bashkimi Europian ka akorduar mbi 1.9 miliardë euro grante për Shqipërinë. Së bashku me investimet e Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, kjo mbështetje ka mobilizuar rreth 4.7 miliardë euro investime që nga viti 2008.
Komisioni Europian mirëpriti nisjen e projekteve të reja në fusha si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e mjedisit, qeverisja vendore dhe siguria ushqimore.
Gjithashtu, u bë e ditur se janë miratuar 100 milionë euro të tjera për periudhën 2025-2027, të dedikuara për reformat në drejtësi, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe lëndët e para kritike.
Diskutimet evidentuan nevojën për përshpejtimin e zbatimit të programeve me vlerë rreth 130 milionë euro në fushat e transformimit digjital, eficiencës energjetike dhe punësimit të të rinjve, si pjesë e angazhimeve që lidhen me procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
