
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka uruar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar njëkohësisht zhvillimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Në një reagim në platformën X, Kos e cilësoi procesin zgjedhor si të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt, duke theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve demokratike.
“Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, është shprehur ajo.
Komisionerja evropiane nënvizoi se avancimi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian kërkon bashkëpunim mes aktorëve politikë dhe krijimin e institucioneve të qëndrueshme.
Kos gjithashtu bëri të ditur se synon të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt për të intensifikuar bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas saj, angazhimi i Bashkimit Evropian mbetet i palëkundur në mbështetje të reformave, zhvillimit ekonomik dhe afrimit të Kosovës me familjen evropiane.