Vendosni fjalën kyçe....

Debat në Komisionin e Shëndetësisë për udhëzimin mbi trajtimet hormonale në QSUT



Në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale është zhvilluar sot një debat mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës lidhur me një udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që lidhet me trajtimin hormonal të personave transgjinorë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi udhëzimin të paligjshëm dhe kërkoi që çështja të shqyrtohet me urgjencë në Kuvend. Ai tha se dokumenti ngre “shqetësime serioze” për mënyrën e zbatimit dhe pasojat e mundshme shëndetësore, duke kërkuar gjithashtu edhe thirrjen për raportim të ministres së Shëndetësisë.

Shehu përdori gjuhë të ashpër gjatë diskutimit, duke e cilësuar udhëzimin “skandaloz” dhe në kundërshtim me, siç u shpreh ai, parimet mjekësore dhe shoqërore, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi natyrën e trajtimeve dhe grupmoshat e përfshira.

Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës kundërshtuan kërkesën për thirrjen e ministres në komision. Deputeti socialist Eduard Shalsi deklaroi se debati po mbështetet mbi interpretime të pasakta të dokumentit dhe se nuk ka vend për, siç tha ai, akuza politike në këtë çështje.

Edhe deputetja socialiste Klodiana Spahiu kërkoi që diskutimi të mbetet brenda argumentit profesional dhe jo të kthehet në dezinformim. Ajo sqaroi se udhëzimi nuk parashikon trajtime për të mitur 14-vjeçarë, siç është pretenduar në debat, por synon vendosjen e standardeve mjekësore për trajtimet hormonale për persona mbi 18 vjeç, në përputhje me protokollet ndërkombëtare.