Vendosni fjalën kyçe....

21 kandidatë në garë për drejtimin e Policisë në katër qarqe, zhvillohet procesi konkurrues në Drejtorinë e Përgjithshme



Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po zhvillohet sot procesi konkurrues për plotësimin e vendeve vakante në drejtimin e policive vendore në qarqet Durrës, Lezhë, Fier dhe Kukës.

Në këtë garë marrin pjesë 21 punonjës policie, të cilët po i nënshtrohen vlerësimit nga komisioni përkatës përmes testimit dhe intervistimit, në kuadër të procedurës së përzgjedhjes për drejtuesit e rinj vendorë.

Pas përfundimit të procesit, kandidatët do të renditen sipas pikëve të grumbulluara dhe nga lista fituese do të përzgjidhen katër emrat që do të emërohen në krye të drejtorive vendore të Policisë së Shtetit në qarqet përkatëse.

Mes pjesëmarrësve në procesin e konkurrimit janë:

Adriatik Tafçiu, Arjanit Arapi, Artion Duka, Ermal Muçaj, Ervin Hodaj, Erzen Cera, Gjovalin Loka, Ndue Doçi, Xhevahir Karaj, Alfred Nomani, Alfred Elezi, Alket Shatro, Arben Nasufi, Ardrit Elmazi, Dashamir Spaho, Edvin Ndreu, Erion Ahmeti, Hergis Jica, Lorenc Shehu, Lorenc Meta dhe Ylli Doda.

Ndërkohë, aktualisht mbeten ende vakante edhe drejtimet e Policisë së Shtetit në Tiranë dhe Vlorë, për të cilat pritet që në një fazë të mëvonshme të hapet një procedurë e veçantë konkurrimi.

Procesi i sotëm konsiderohet pjesë e riorganizimit të strukturave drejtuese të policisë në nivel vendor, me synimin për rritjen e eficiencës dhe performancës së drejtimit në terren.