Vendosni fjalën kyçe....

Media – Presidenti iranian Pezeshkian i paraqet dorëheqjen liderit suprem Khamenei


Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i ka dërguar një letër dorëheqjeje zyrës së liderit suprem Mojtaba Khamenei, sipas një raportimi të publikuar nga media Iran International me seli në Londër.

Sipas medias, e cila citon një zyrtar anonim, në letër Pezeshkian ka shprehur pakënaqësinë për rritjen e ndikimit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në institucionet shtetërore, duke pretenduar se ajo ka marrë kontrollin efektiv mbi pjesë të rëndësishme të qeverisë, përcjell JP.

Burimi pretendon se presidenti iranian ka argumentuar se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë përjashtuar nga proceset kyçe të vendimmarrjes, duke e bërë të pamundur ushtrimin normal të detyrave të tyre.

Sipas raportimit, Pezeshkian ka theksuar në letër se nuk është më në gjendje të drejtojë qeverinë apo të përmbushë përgjegjësitë që i ngarkon posti, ndaj ka kërkuar të largohet nga detyra.

Media citon gjithashtu burime anonime sipas të cilave mosmarrëveshjet kryesore mes Pezeshkianit dhe drejtuesit të Gardës Revolucionare lidhen me mënyrën e menaxhimit të luftës dhe pasojat që ajo ka sjellë për ekonominë iraniane dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Mënyra se si u menaxhua lufta dhe pasojat e saj shkatërruese për jetesën e njerëzve dhe ekonominë e vendit” përshkruhet si shkaku kryesor i përplasjeve mes palëve, sipas burimeve të cituara.

Raporti vjen vetëm pak ditë pasi zyrtarë amerikanë deklaruan për CBS se lideri suprem Mojtaba Khamenei ndodhet në një vend sekret me akses shumë të kufizuar në botën e jashtme.

Sipas këtyre burimeve, Khamenei mund të kontaktohet vetëm përmes një rrjeti të ndërlikuar korrierësh, ndërsa edhe zyrtarët më të lartë të qeverisë iraniane nuk dinë vendndodhjen e tij dhe nuk kanë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me të.

Deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga presidenca iraniane, zyra e liderit suprem apo institucionet shtetërore në Teheran lidhur me raportimet për një dorëheqje të mundshme të presidentit Pezeshkian.