
Tre mjekë janë arrestuar në zonën e Pireut, të dyshuar për mashtrim ndaj siguruesit shtetëror shëndetësor grek, EOPYY, me më shumë se 250 mijë euro përmes lëshimit të rekomandimeve mjekësore false.
Sipas Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar, njësi e specializuar e Policisë Greke, grupi akuzohet se ka vepruar që nga maji i vitit 2021, duke realizuar 1,961 rekomandime fiktive për fizioterapi, që korrespondojnë me 19,610 seanca, duke përdorur 1,683 numra sigurimesh shoqërore që u përkisnin personave të siguruar pa dijeninë e tyre.
Mes të arrestuarve janë një fizioterapist 39-vjeçar, i identifikuar si drejtuesi i dyshuar i grupit, si dhe dy ortopedë të moshës 51 dhe 49 vjeç. Arrestimet u kryen të mërkurën gjatë një operacioni policor në zonën e Pireut, shkruan Ekathimerini.
Autoritetet thanë se dosja përfshin gjithashtu një punonjës të EOPYY-së dhe akuza si mashtrim ndaj shtetit, falsifikim, deklarime të rreme, shkelje të legjislacionit për të dhënat personale dhe vepra penale të lidhura me ryshfetin.
Gjatë kontrolleve të koordinuara në banesa, klinika mjekësore dhe një qendër fizioterapie, policia sekuestroi rreth 9 mijë euro para cash, pajisje elektronike dhe shënime të shkruara me dorë.
Të dyshuarit u paraqitën para autoriteteve kompetente të prokurorisë, ndërsa hetimet vazhdojnë.