
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku, pritet të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme.
Lajmi është bërë i ditur nga ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një reagimi në Facebook ka konfirmuar përfshirjen e Çollakut në politikën e Prishtinës, duke e vlerësuar si një figurë me kontribut të gjatë në çështjet që lidhen me Kosovën.
Osmani ka theksuar se Çollaku ka qenë aktiv për më shumë se dy dekada në fusha si arsimi universitar, diplomacia dhe mbështetja për orientimin euro-atlantik të shqiptarëve.
Sipas saj, ai ka shërbyer edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Washington, duke kontribuar në forcimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, si dhe ka qenë i angazhuar në diplomacinë parlamentare në forume rajonale dhe ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, Osmani e ka përshkruar Çollakun si pjesë të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 dhe si një zë të vazhdueshëm në mbështetje të pavarësisë dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ajo ka theksuar gjithashtu se ai ka shërbyer si këshilltar për politikë të jashtme në Presidencë dhe aktualisht është edhe shtetas i Republikës së Kosovës.
Sipas Osmanit, përfshirja e tij në listën e LDK-së vjen si pjesë e nevojës për figura me përvojë dhe integritet në Kuvendin e Kosovës.