
Ish-deputeti Lefter Maliqi ka rikthyer në vëmendje çështjen e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, për të cilin pretendon se ndodhet në detyrë në kundërshtim me ligjin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Maliqi akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zvarritje të procesit dhe heshtje të qëllimshme lidhur me statusin juridik të Hajdarit.
Sipas tij, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kishte vënë në dijeni KQZ-në që në prill të vitit 2023 për një vendim penal të formës së prerë ndaj Hajdarit në Greqi, të cilin ai pretendon se kryebashkiaku e kishte fshehur në momentin e kandidimit.
“Kreshnik Hajdari nuk duhej lejuar fare të kandidonte në zgjedhjet e majit 2023 për Bashkinë Kuçovë”, shkruan Maliqi.
Ai shton se KQZ, sipas tij, ka zgjedhur të “blejë kohë” dhe të mbrojë kandidatin socialist, ndërsa përmend edhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, si avokat të Hajdarit.
Në reagimin e tij, Maliqi ngre gjithashtu pretendime për manipulime zgjedhore dhe ndërhyrje politike gjatë procesit elektoral në Kuçovë.
Sipas tij, SPAK dhe Gjykata e Posaçme e kanë dënuar Hajdarin për fshehje të dënimit penal, me një masë të konvertuar më pas në punë në komunitet, ndërsa ai vazhdon të ushtrojë funksionin e kryebashkiakut.
Në fund të reagimit, Maliqi i bën thirrje KQZ-së që të mos e zvarrisë më procesin dhe kërkon vendosjen e drejtësisë.
“Drejtësia vonon, por nuk harron. Kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit”, shprehet ai.