Vendosni fjalën kyçe....

Pas aksidentit tragjik me dy viktima, Hita pezullon nga detyra drejtorin e Policisë së Durrësit dhe 2 shefa të tjerë


Drejtori i pezulluar Afrim Tafa, dhe drejtori i komanduar Ervin Hodaj

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra disa drejtues të policisë lokale për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave.

Të pezulluar janë Drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa, zv.drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj, si dhe shefi i Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

Menjëherë pas ngjarjes, është ngritur një grup ekspertësh nga Policia Rrugore për të analizuar shkaqet e aksidentit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme në radhët e efektivëve.

Njoftimi i policisë:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:   

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.             

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje  për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.           

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.