
Ministria e Arsimit ka miratuar “Planin e Veprimit të Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030”, një paketë masash që synojnë përmirësimin e ofertës akademike dhe përafrimin e tij me kërkesat e tregut të punës.
Në dokumentin e publikuar në Fletoren Zyrtare theksohet se fokusi kryesor i planit është forcimi i arsimit të lartë si faktor kyç për zhvillimin e kapitalit njerëzor, social dhe ekonomik të vendit, përmes një oferte akademike më bashkëkohore dhe të përshtatur me nevojat e shoqërisë dhe tregut të punës.
“Arsimi i lartë, faktor i rëndësishëm për zhvillimin e kapitalit njerëzor, social dhe ekonomik të vendit, përmes ofertës akademike bashkëkohore, në përshtatje me nevojat e shoqërisë dhe kërkesat dinamike të tregut të punës, për të pajisur studentët me aftësitë e së ardhmes dhe duke synuar rritjen e produktivitetit”, theksohet në dokument.
Kostoja e përgjithshme e planit të veprimit është llogaritur në rreth 11 mln euro, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Arsimit.
Konkretisht, Plani i Veprimit për Arsimin e Lartë 2030 parashikon një paketë masash në disa drejtime kryesore.
Me qëllim “Përmirësimin e ofertës akademike”, Ministria e Arsimit parashikon marrjen e një sërë masash që nga rishikimi i ligjit 80/2015, “Për arsimin e lartë” deri në dhjetor 2026 dhe rishikimi i programeve ekzistuese + kurrikula të reja (STEM, digjital, turizëm) sipas tregut të punës (afati 24 muaj). Po ashtu parashikohet që brenda 2026-s të rishikohet formula e financimit të IAL-ve (performancë). Deri në qershor 2026 parashikohet të rishikohet gjithashtu edhe kuadri ligjor për konkurrencën dhe llogaridhënien.
Për forcimin e lidhjeve me tregun e punës, plani i veprimit përcakton masa për “Fuqizimin e zyrave të karrierës”, Bashkëpunime me sektorin privat për praktika dhe intershipe etj.
“Për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor”, masat do të fokusohen në marrëveshje me universitete të huaja dhe programe të përbashkëta; Aplikime në programe si Erasmus+ dhe Horizon; Financim i 60 doktoraturave deri në 2028 në një kosto prej 180 mijë euro etj.
Në dokument përcaktohet se zbatimi i planit do të koordinohet nga një sërë institucionesh, përfshirë Sekretariatin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, drejtoritë përkatëse të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Qendrën e Shërbimeve Arsimore, si dhe vetë institucionet e arsimit të lartë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor