Gjatë seancës parlamentare të kësaj të hëne, deputeti Belind Këlliçi ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, duke kërkuar transparencë për mesazhet ku pretendohet se janë ofenduar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Këlliçi hodhi poshtë pretendimet e ministrisë për fabrikime, duke theksuar se bëhet fjalë për një grup zyrtar komunikimi.
“Këtu nuk flitet për piknik, as për të lënë ndonjë orar dreke, por është grupi ku jepen direktivat për politikën e jashtme drejtuar të gjithë ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Jam detyruar të nxjerr komunikimin e plotë dhe momentin kur ministri ka fshirë mesazhin dhe është larguar nga ky grup.”
Deputeti i PD-së e vuri ministrin përpara një zgjedhjeje të prerë, duke kërkuar që ky i fundit të marrë përgjegjësi publike për fjalët e përdorura ndaj bashkëkombësve në vendin fqinj.
“Ministri duhet të vijë dhe të thotë këtu: ose shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë idiotë dhe ai i qëndron thënies së tij, ose ky mesazh është i fabrikuar nga ana ime dhe unë dal këtu publikisht e i kërkoj ndjesë çdo qytetari, ose ministri i jashtëm i Republikës sonë duhet të kërkojë ndjesë vetë.”
Përveç skandalit diplomatik, Këlliçi ngriti pikëpyetje edhe për integritetin e ministrit në raport me drejtësinë, duke përmendur dosjen e AKSHI-t dhe konfliktin e mundshëm të interesit në raportimin për reformën në drejtësi.
“I kam lexuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për korrupsion dhe krimin e organizuar dhe e kam pyetur nëse është në konflikt interesi në momentin që raporton para institucioneve europiane për reformën në drejtësi, por sërish ka patur vetëm mohim. Mendoj se është në nderin e tij të bëjë transparencë për këtë skandal që është i paprecedent në 36 vite.”
