Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti në Durrës/ Zhupa kërkon ndryshim urgjent të Kodit Penal: Nuk janë aksidente, janë krime.


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas tragjedisë në Durrës, duke kërkuar ndryshime urgjente në Kodin Penal për trajtimin e rasteve të aksidenteve rrugore, veçanërisht kur drejtuesit janë në gjendje të dehur.

Në reagimin e saj, Zhupa e cilëson të papranueshme që raste të tilla të konsiderohen si “aksidente” apo “pakujdesi”, duke theksuar se bëhet fjalë për veprime të vetëdijshme me pasoja të rënda për jetën.

“Sot është një ditë e zezë që duhet të na shkundë të gjithëve. Nuk gjej dot fjalët e duhura për të shprehur ngushëllimet më të thella për familjet që kanë humbur pjesën e shpirtit të tyre, fëmijët e tyre”, shprehet ajo.

Zhupa kërkon që legjislacioni penal të ndryshojë dhe këto raste të trajtohen si krime të rënda kundër jetës.

“Nuk mund të vazhdojmë t’i quajmë ‘aksidente’ apo ‘pakujdesi’ raste kur dikush hipën i dehur në timon. Ky është një akt i vetëdijshëm, ku makina kthehet në armë dhe rreziku për jetën e të tjerëve është i qëllimshëm”, thekson deputetja.

Ajo shton se drejtimi i mjetit në gjendje të dehur është një veprim i ndërgjegjshëm dhe se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi penale më të rëndë.

“Është koha që Kodi Penal të mos i trajtojë më këta persona si shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, por si autorë të krimeve të rënda kundër jetës”, deklaron Zhupa.

Në përfundim, ajo thekson se drejtësia duhet të jetë në lartësinë e dhimbjes së familjeve të prekura dhe të japë vendime që reflektojnë seriozitetin e këtyre ngjarjeve.