Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka vijuar dëshminë e tij në procesin gjyqësor për privatizimin e kompleksit “Partizani”, duke deklaruar se qëndron plotësisht pas kallëzimit të bërë ndaj Jamarbër Malltezi dhe Sali Berishës.
Gjatë seancës, në përgjigje të pyetjeve të avokatit mbrojtës Sokol Mëngjesi, Balla u shpreh se privatizimi i pronës është favorizuar për shkak të lidhjeve familjare të Malltezit me ish-kryeministrin Berisha.
“Jemi para një rasti se si një person i lidhur me pushtetin publik krijon kompani, marrëveshje dhe përfiton pasuri”, deklaroi Balla, duke shtuar se prona është kthyer “brenda ditës”, çka sipas tij ngre dyshime për favorizim.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një rast tipik korrupsioni të thjeshtë, por për një skemë më të gjerë përfitimi përmes ndikimit në institucione. Sipas Ballës, fakti që Malltezi është dhëndri i kryeministrit të kohës ka ndikuar në vendimmarrje.
“Përmes lidhjes familjare ka ndikuar tek institucionet për të marrë këto vendime”, u shpreh ai në gjykatë.
Pjesë nga dëshmia e Taulant Ballës
Sokol Mëngjesi: Ku e bazoni kundërligjshmërinë?
Balla: e bëra sqarimin tim, është në prokurori dhe kallëzimin tim
Mëngjesi: Na refero disa fakte që ke hetuar vetë apo i ke parë nga dokumentacioni?
Balla: S’kemi të bëjmë me rast tipik të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për një pronë të MM privatizohet, kthehet prona, krijohet kompani, ndërtohet…. Faktet janë në nenet e kodit penal. Mbi të cilat mbështetet arsyetimi im.
Mëngjesi: Një fakt a dokument, ku e bazon korrupsionin
Balla: E mendoj kështu
Elsa Ulliri: Pa menduar
Balla: Pa menduar se them dot. Jemi para një rasti se si një person i lidhur me person me pushtet publik, krijon kompani, marrëveshje, pasuri dhe i shkon pasuria personit me pushtet. Kam treguar fakte se si një personi të lidhur me pushtetin i kthehet prona brenda ditës
Mëngjesi: Kush e privatizon, nëse ka qenë pronë e ushtrisë, ndodhet në tokë të privatit dhe strukturat shtetërore e nxjerrin në privatizim, kush e privatizon?
Balla: Shtëpia qendrore e ushtrisë ndodhet sot në pronë private, pse si kthehet kjo pronarit të truallit, ndërkohë partizani i kthehet. Mendoj se ka favorizim. Personat e kallëzuar prej meje Berisha, Malltezi dhe persona të tjerë e kanë mundësuar privatizimin.
Mëngjesi: Berisha dhe Malltezi çfarë kanë bërë një veprim konkret?
Balla: Të dhënat që kam patur i kam dhënë në kallëzim.
Mëngjesi: Unë nuk di gjë nga kallëzimi, mund të na e thuash
Refuzohet pyetja
Malltezi: Po ky po gënjen prapë moj zonja gjyqtare
Mëngjesi: Çfarë dokumentesh false kanë përdorur ish pronarët pranë AKKP.
Balla: Çfarë janë vërtetuar dhe arsyetimi mbi bazën e fakteve publike rezulton se ajo pronë është shpronësuar….
Elsa Ulliri: Keni dijeni mbi pyetjen
Mëngjesi: Ka afat që agjencia të marrë vendim
Balla: Ka afat por s’kam dijeni se sa
Mëngjesi: Pse pretendoni për Malltezin që e mori shumë shpejt. Ku i referohesh se këta e kanë marrë më shpejt se të tjerët?
Elsa Ulliri: S’lejohet pyetja, e ka dhënë përgjigja
Balla: Jam kallëzues, nëse do kisha mundësi ti mblidhja të gjitha faktet s’kisha pse ia sillja prokurorisë. Në fund kam bërë në kallëzim disa pyetje që kërkoja nga SPAK ti verifikonte.
Mëngjesi: Çfarë ndikimi ka ushtruar Malltezi?
Balla: Është përfitues, i lidhur dhe i ekspozuar publikisht, për shkak se është dhëndri i kryeministrit të kohës, kur bashkohen këto element tregon se ka përfituar.
Ulliri: Ju pyeti ndikimi cili është
Balla: Përmes lidhjes familjare ka ndikuar tek institucionet për të marrë këto vendime. Kam dyshime referuar neneve përkatëse
Mëngjesi: A ka komunikuar Malltezi me dikë konkretisht?
Balla: Nuk kam dijeni.
