Vendosni fjalën kyçe....

Emiratet e Bashkuara Arabe largohen nga OPEC


Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan të martën se po largohen nga OPEC, duke i dhënë një goditje grupit të prodhuesve të naftës, ndërsa një krizë energjetike e paprecedentë e shkaktuar nga lufta me Iranin po nxjerr në pah përçarjet mes vendeve të Gjirit.

Dalja e Emirateve – një nga prodhuesit më të mëdhenj të grupit – dobëson kontrollin e OPEC mbi furnizimet globale të naftës dhe thellon përçarjen mes Emirateve dhe fqinjit të tyre Arabisë Saudite, që në praktikë është lideri i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës.

Kjo mund t’i japë gjithashtu Emirateve mundësinë të rrisin prodhimin sapo eksportet përmes Gjirit të rifillojnë, pasi nuk do të jenë më të kufizuara nga kuotat e OPEC.

Në komentet e tij të para publike pas njoftimit, ministri i Energjisë i Emirateve, Suhail Mohamed al-Mazrouei, i tha Reuters në një intervistë telefonike se vendimi u mor pas shqyrtimit të strategjive energjetike të vendit.

Ai tha se Emiratet nuk e kishin diskutuar çështjen me asnjë vend tjetër.

“Ky është një vendim politikash, i marrë pas një analize të kujdesshme të politikave aktuale dhe të ardhshme që lidhen me nivelin e prodhimit,” tha Mazrouei.

Emiratet do largohen më 1 maj

Ai shtoi se bota do të kërkojë më shumë energji, duke lënë të kuptohet se Emiratet do të jenë të pozicionuara për ta përmbushur këtë kërkesë.

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ulën fitimet të martën pas njoftimit se Emiratet do të largohen më 1 maj nga OPEC dhe OPEC+, që përfshin edhe prodhuesit aleatë.

Mazrouei tha se nuk priste ndikim të madh të menjëhershëm në treg për shkak të kufizimeve në Ngushticën e Hormuzit.

Prodhuesit e Gjirit kanë pasur vështirësi në dërgimin e eksporteve përmes kësaj ngushtice – një pikë strategjike mes Iranit dhe Omanit përmes së cilës kalon zakonisht rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë – për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve iraniane ndaj anijeve.

Ndërsa furnizimet nga Gjiri janë bllokuar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë tha se pjesa e OPEC+ në prodhimin global të naftës ra në 44% në mars nga rreth 48% në shkurt. Ajo pritet të bjerë më tej në prill dhe edhe më shumë në maj me largimin e prodhuesit të katërt më të madh.

Një fitore për Donald Trump?

Dalja e Emirateve konsiderohet si një fitore për presidentin amerikan Donald Trump, i cili në vitin 2018 akuzoi organizatën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se “po shfrytëzon pjesën tjetër të botës” duke rritur çmimet e naftës.

Trump ka lidhur gjithashtu mbështetjen ushtarake të SHBA për vendet e Gjirit me çmimet e naftës, duke thënë se ndërsa SHBA i mbron anëtarët e OPEC, ata “e shfrytëzojnë këtë duke vendosur çmime të larta”.

Analistët thanë se kjo është gjithashtu pozitive për konsumatorët dhe ekonominë në përgjithësi.

“Kjo hap derën që Emiratet të rrisin pjesën e tyre në tregun global sapo situata gjeopolitike të normalizohet,” tha Monica Malik, kryeekonomiste në ADCB.

Analisti Jorge Leon nga Rystad theksoi rëndësinë e Emirateve si një nga të paktët anëtarë të OPEC, përveç Arabisë Saudite, që kanë kapacitet të lirë për të rritur prodhimin.

“Jashtë grupit, Emiratet do të kenë si motivimin ashtu edhe aftësinë për të rritur prodhimin, duke ngritur pyetje mbi qëndrueshmërinë e rolit të Arabisë Saudite si stabilizues kryesor i tregut,” tha ai.

Përçarje në rritje mes Emirateve dhe Arabisë Saudite

Dikur aleatë të fortë, Abu Dhabi dhe Rijadi kanë zhvilluar një rivalitet të heshtur, duke u përplasur për politika nafte, çështje gjeopolitike dhe garën për tërheqjen e kapitalit dhe talenteve të huaja.

Emiratet janë një qendër rajonale biznesi dhe financash dhe një nga aleatët më të rëndësishëm të SHBA. Ato kanë ndjekur një politikë të jashtme aktive dhe kanë krijuar zonën e tyre të ndikimit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Sidomos pas sulmeve gjatë luftës me Iranin, Emiratet kanë forcuar marrëdhëniet me SHBA dhe Izraelin, me të cilin vendosën lidhje në vitin 2020 përmes Marrëveshjeve të Abrahamit. Ato e shohin këtë marrëdhënie si një mjet ndikimi rajonal dhe një kanal të veçantë drejt Uashingtonit.

Ndërkohë, disa liderë të Gjirit u takuan të martën në Arabinë Saudite në një samit që synon të krijojë një përgjigje ndaj mijëra sulmeve me raketa dhe dronë iranianë që vendet e tyre kanë përjetuar që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, shkruan Reuters.