Vendosni fjalën kyçe....

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA nuk arrin të zgjedhë kryetarin as në ditën e tretë të votimit


Kevin McCarthy nuk arriti të zgjidhet në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, pasi dështoi përsëri të sigurojë votat e nevojshme.

Është dita e përplasjes midis zotit McCarthy dhe 20 kolegëve republikanë të vijës së ashpër që nuk po e mbështesin ligjvënësin nga Kalifornia.

Kundërshtarët konservatorë të zotit McCarthy duket se synojnë ta nxjerrin jashtë loje duke votuar kundër tij për aq kohë sa duhet.

Një prej tyre, ligjvënësi republikan Matt Gaetz votoi sot për Donald Trumpin për postin e kryetaritm, megjithëse ish-presidenti nuk është në garë. Ish-presidenti Trump u ka kërkuar republikanëve që të mbështesin zotin McCarthy për kryetar.

Sipas njoftimeve, zoti McCarthy kishte pranuar të bënte lëshime ndaj kërkesave të tyre që më parë i kishte konsideruar të papranueshme. Sipas burimeve që janë cituar në disa media, ai kishte pranuar që ta ulte nga pesë në një numrin e ligjvënësve që mund të kërkojnë një votim për të shkarkuar kryetarin, si edhe kishte pranuar që fraksioni konservator të zgjedhë një të tretën e anëtarëve të partisë republikanë në një nga komisionet më të fuqishme të Dhomës, që përcakton se çfarë ligjesh shqyrtohen në punimet e Kongresit.

Plotësimi i këtyre kërkesave do ta dobësonte pozitën e tij si kryetar, nëse zgjidhet.

Republikanët që kundërshtojnë kandidaturën e zotit McCarthy thanë të mërkurën se debati është shenjë e një demokracie të shëndetshme.

“Ajo që shoh unë është energjia, një energji e madhe në këtë grup republikan që do të punojë për amerikanët”, tha ligjvënësi Mike Gallagher.

Analistë konservatorë kritikuan republikanët për shtyrjen por edhe pranuan shqetësimet e konservatorëve për zotin McCarthy.

“Populli amerikan votoi për qeverisje. Amerikanët votuan për kontrolle dhe balanca. Ata nuk votuan që republikanët të shkonin në Uashington dhe të humbnin kohë me grindje mes tyre dhe arrogancë”, tha komentatori i televizionit Fox News, Sean Hannity.

“McCarthy nuk është shumë konservator. Ai në fakt është ideologjikisht neutral, është elastik. Elektorati i tij i vërtetë është komuniteti lobues në Uashington. Dhe nëse ke bindje të vërteta politike, kjo është indinjuese”, tha analisti tjetër Tucker Carlson.

Në komentet e tyre, demokratët theksuan mbështetjen për ligjvënësin Hakeem Jeffries për postin e kryetarit – megjithëse votat e demokratëve nuk mjaftojnë që ai të zgjidhet.

“Nuk do të kishte dezertime nga demokratët. Ne jemi këtu. Nëse ata duan të angazhohen, ne jemi të hapur”, tha ligjvënësja Alexandra Ocasio-Cortez.

“Është e turpshme. Procesi po zgjat shumë nga mënyra se si po sillen. Dhe pjesa tjetër e botës po shikon dhe shtron pyetjen nëse mund ta zgjidhim”, tha Presidenti Joe Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara nuk mund të funksionojë dhe anëtarët e rinj nuk e bëjnë dot betimin pa u zgjedhur kryetari. Ligjvënësit pritet të votojnë përsëri sot.