
Kosova pritet të shkojë sërish në zgjedhje të reja, pasi partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa afati kushtetues po shkon drejt fundit.
Kryeministri dhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të zhbllokuar situatën, por pa sukses.
Pas takimit, Abdixhiku deklaroi se nuk do të ketë më takime me LVV-në për këtë çështje, duke e konsideruar procesin të mbyllur nga ana e LDK-së. Ai theksoi se për 53 ditë nuk është arritur asnjë zgjidhje dhe se insistimi i LVV-së që presidenti t’i takojë kësaj partie ka pamundësuar kompromisin.
“LDK e konsideron të mbyllur këtë çështje. Nuk ka kuptim të vazhdojmë takimet pa asnjë ndryshim qëndrimi”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se vendi duhet të përgatitet për zgjedhje të reja dhe se partia e tij do të fokusohet në bashkimin e së djathtës, shkruan RTK.
Në anën tjetër, Kurti bëri të ditur se i kishte ofruar LDK-së fillimisht bashkëqeverisje me postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, e më pas edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit përmes një rokade institucionale, por këto oferta u refuzuan.
Sipas tij, LVV ka qenë e gatshme për kompromis, por mungesa e propozimeve konkrete nga opozita për një kandidat konsensual për president ka bllokuar procesin. Kurti theksoi se, nëse nuk ka ndryshim në ditët e mbetura, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kritikoi ofertat e Kurtit, duke i cilësuar si joserioze dhe jokushtetuese, ndërsa vlerësoi se veprimet e tij kanë shkuar në drejtim të dërgimit të vendit në zgjedhje të reja.
PDK ka theksuar se kishte shprehur gatishmëri për të mbështetur një kandidat konsensual, por sipas saj mungesa e vullnetit politik nga pushteti ka penguar zgjidhjen e situatës.
Në këto rrethana, me afatin kushtetues që po afrohet dhe pa një marrëveshje ndërmjet partive kryesore, skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.