
Kryenegociatorja Majlinda Dhuka ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian kërkon hartimin e një programi kombëtar për përmirësimin e stabilimenteve bujqësore në kuadër të negociatave.
Sipas saj, procesi ka nisur me skanimin e mbi 900 stabilimenteve në të gjithë vendin nga AKU, me fokus te standardet e ruajtjes, transportit, përpunimit dhe tregtimit. Qëllimi është përgatitja e bizneseve shqiptare për tregun europian.
“Kemi një kërkesë specifike nga BE në negociata: hartimi i një programi kombëtar për përmirësimin e stabilimenteve bujqësore.
Faza e parë e hartimit të programit është skanimi i të gjitha stabilimenteve, sidomos të mishit, peshkut, vezëve, qumështit dhe nënprodukteve.
Fokusi janë ruajtja, transporti, përpunimi dhe tregtimi brenda e jashtë vendit. Procesi i skanimit ka nisur dhe po kryhet nga AKU në të gjitha qarqet në mbi 900 stabilimente.
AKU do të trokasë pranë jush për të parë stabilimentet nëse i plotësoni këto standarde. Qëllimi është pozitiv, teksa i bëjmë gati bizneset shqiptare për t’u bërë pjesë e tregut europian”, tha Dhuka.