Vendosni fjalën kyçe....

Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% e ilaçeve në vend janë gjenerike, dyshime për standartin


Një raport auditi i Kontrollit të Shtetit përgjatë 2020-ës deri në 2023, evidenton se në Shqipëri, importohen barna pa analiza laboratorike të detyrueshme, duke rritur rrezikun për ilaçe nën standard.

Në vitin 2023, u importuan 837 ton barna farmaceutike më shumë se 2022-shi, por me kosto më të ulët, duke ngritur dyshime për cilësinë e tyre.

80% e barnave në vendin tonë, janë gjenerike, ose thënë më thjesht, kopje të ilaçeve origjinale, me kosto shumë më të ulët.

Shqipëria ndër vite po importon më shumë ilaçe, por edhe pse barnat shtohen, kostot e blerjes së tyre ulen. Kjo për Kontrollin e Lartë të Shtetit, është kambana e parë e alarmit, se cilësia e barnave dhe efektet që ato japin, mund të jenë larg standardeve.

“Në vitin 2023 rezulton një rritje konsiderueshme e importeve prej 837 ton barna farmaceutike  krahasuar me vitin 2022, por me një kosto më të ulët prej 791.000 lekësh për ton barna”, tha Arminda Bushi, Drejtoresha e departamentit të performancës në KLSH.

Shifrat, janë pjesë e një raporti-auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2020-2023, gjetje të cila iu prezantuan Kuvendit të Shqipërisë, në Nënkomisionin parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik

Disa lloje barnash hyjnë pa iu nënshtruar analizave në Shqipëri, sipas një vendimi qeverie të 2015-ës, dhe sipas përfaqësueses së KLSH-së në Kuvend, paraqesin “një rrezik të konsiderueshëm për cilësinë dhe sigurinë, veçanërisht pasi këto barna mund të importohen nga vendet e treta pa analiza laboratorike të detyrueshme.”

Sipas auditit të KLSH-së, kjo i hapi shtegun, futjes së barnave pa standarde në vend.

“Barnat gjenerike tani dominojnë tregun shqiptar, duke përbërë 80% të autorizimeve të tregtimit”, u shpreh Bushi. 

Barnat gjenerike, janë kopje të barnave origjinale, të prodhuara nga kompani që përdorin të gatshme formulën e patentës së ilaçit origjinal, por me tjetër emër tregtar. Duke qenë se kompania që i prodhon nuk paguan kostot e kërkimit shkencor, këto ilaçe, janë shumë me të lira.

Probleme – auditi i Kontrollit të lartë të Shtetit, sheh edhe te lista e barnave të rimbursuara. 43 barna alternative të para nuk janë në regjistrin e barnave

KLSH thekson se mungesa e një strukture të posaçme në Ministrinë e Shëndetësisë për kontrollin periodik të aktiviteteve të agjencisë se Barnave dobëson llogaridhënien dhe rrit rrezikun e përsëritjes së problematikave në sistem.

VENDET E IMPORTIT

-Evropë: 71.5%

– Turqi: 14.2%

– SHBA: 5.1%

– Vendet e Ballkanit: 5.4-5.7%

– Vende të treta (p.sh., India, Koreja e Jugut): 2.3%

– Mbretëria e Bashkuar: 2%

– Kanada: 0.2%