Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi dhe Tabaku vizitë zyrtare në Itali, takime me përfaqësues të “Forza Italia”



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetja Jorida Tabaku po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Itali, ku kanë nisur takimet me Kryetaren e Grupit Parlamentar të “Forza Italia” në Senatin italian, Stefania Craxi.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shqiptare vlerësuan rolin e Italisë si një nga aleatet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si dhe si një partnere e rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ata shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se përgjegjësia për avancimin e vendit mbetet tek vetë shqiptarët.

Deputetët demokratë rikonfirmuan qëndrimin e Partisë Demokratike për të mbështetur çdo proces që afron Shqipërinë me Bashkimin Europian, duke theksuar se integrimi europian kërkon reforma të thella dhe standarde të qëndrueshme demokratike.

“Fatkeqësisht, sot në vendin tonë po ndodh e kundërta. Propaganda mbizotëron, ndërsa standardet demokratike po cenohen. Ka tregues të qartë për cenimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që korrupsioni i përhapur në çdo zyrë, jo vetëm që nuk luftohet, por mbrohet politikisht nga mazhoranca. Kjo qasje e dëmton seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë. Shqipëria ka potencialin për të bërë më shumë. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Dhe është detyra jonë ta bëjmë këtë realitet”, u shprehën ata.

Vizita në Itali pritet të vijojë me takime të tjera në kuadër të forcimit të bashkëpunimit politik dhe institucional, si dhe shkëmbimit të qëndrimeve mbi proceset integruese të Shqipërisë.