Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), z. Gentian Sala, priti sot në një vizitë pune monitoruese përfaqësues të dy komisioneve parlamentare: atë për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Takimi, i kryesuar nga znj. Anila Denaj dhe z. Fatmir Xhafaj, u fokusua te përmbushja e detyrimeve ligjore të AKEP-it dhe rolin e tij në rregullimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare.
Diskutimet shërbyen për të forcuar kontrollin parlamentar mbi këta sektorë strategjikë, si dhe për të identifikuar sfidat në kuadër të transformimit digjital.
Kryetari i AKEP-it nënvizoi rëndësinë e këtij dialogu për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Ky bashkëpunim i drejtpërdrejtë me Kuvendin është thelbësor për të rritur transparencën dhe për të garantuar shërbime më cilësore për qytetarët në një sektor që po zhvillohet me ritme të shpejta”, theksoi Sala gjatë fjalës së tij.
