
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka nisur një vizitë tre-ditore në Indi, ku pritet të zhvillojë bisedime me kryeministrin Narendra Modi, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, përcjell DW.
Në një darkë me komunitetin korean në Nju Delhi, Lee theksoi se niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik është ende i ulët, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Niveli i bashkëpunimit ekonomik mes Koresë së Jugut dhe Indisë është ende shumë i ulët. Në vijim, do ta zgjerojmë këtë hapësirë dhe do ta bëjmë marrëdhënien krejt ndryshe nga ç’është sot”, u shpreh ai.
Kjo është vizita e parë shtetërore e një presidenti të Koresë së Jugut në Indi në tetë vitet e fundit.
Gjatë takimeve, palët pritet të diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit në fusha si inteligjenca artificiale, financat dhe mbrojtja. Sipas këshilltarit presidencial Wi Sung-lac, dy vendet synojnë gjithashtu përditësimin e marrëveshjes tregtare dhe rritjen e volumit të shkëmbimeve në rreth 50 miliardë dollarë deri në vitin 2030, nga 25.7 miliardë që ishte vitin e kaluar.
Të dhënat tregojnë se Koreja e Jugut eksportoi 19.2 miliardë dollarë drejt Indisë dhe importoi 6.4 miliardë dollarë, duke regjistruar një suficit tregtar prej 12.8 miliardë dollarësh.
Lee theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes dy vendeve në kushtet e pasigurisë globale dhe tensioneve ndërkombëtare, duke përmendur edhe ndikimin e krizave në Lindjen e Mesme dhe zinxhirët e furnizimit.
Pas Indisë, presidenti korean pritet të vijojë turin e tij me një vizitë në Vietnam.