
Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha të shtunën se ka nisur “krijimin e kushteve” për pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa dy anije luftarake amerikane kaluan përmes kësaj rruge detare kyçe.
Në një postim në platformën X, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se anijet luftarake USS Frank Peterson dhe USS Michael Murphy kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit “si pjesë e një misioni më të gjerë për të siguruar që ngushtica të jetë plotësisht e pastruar nga minat detare të vendosura më parë nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit.”
“Sot, ne filluam procesin e krijimit të një kalimi të ri dhe së shpejti do ta ndajmë këtë rrugë të sigurt me industrinë detare për të inkurajuar rrjedhën e lirë të tregtisë,” tha në një deklaratë admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore.
Më herët gjatë së shtunës, presidenti amerikan Donald Trump shkroi në rrjetet sociale se ushtria amerikane ka nisur pastrimin e Ngushticës së Hormuzit dhe se të gjitha anijet iraniane që vendosnin mina janë fundosur.
“Tani kemi filluar procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit,” shkroi Trump në platformën Truth Social, duke shtuar se “të gjitha 28” anijet iraniane për vendosjen e minave “tashmë ndodhen në fund të detit.”
Trump ka deklaruar vazhdimisht se forcat amerikane kanë shkatërruar flotën detare dhe forcën ajrore të Iranit, ndërsa kanë dëmtuar rëndë programet e tij të raketave balistike dhe bërthamore.
Megjithatë, frika nga sulmet iraniane ndaj anijeve gjatë javëve të fundit ka çuar në mbylljen faktike të Ngushticës së Hormuzit, një arterie kritike për furnizimin global me naftë. Kufizimi i kalimit në këtë rrugë ka tronditur tregjet globale të energjisë.
Çmimet e benzinës në SHBA janë rritur ndjeshëm, edhe pse shumica e naftës që kalon përmes kësaj ngushtice nuk shkon drejt Shteteve të Bashkuara.
Përfaqësues nga SHBA dhe Irani nisën bisedimet të shtunën në Islamabad të Pakistanit, në një kohë kur armëpushimi në konflikt mbetet i brishtë, shkruan Reuters.