Greqia ka njoftuar një plan për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke filluar nga 1 janari, në një përpjekje për të mbrojtur shëndetin mendor dhe mirëqenien e tyre.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se masa është “e vështirë, por e domosdoshme”, duke përmendur rritjen e ankthit, problemet me gjumin dhe ndikimin negativ të përdorimit të tepërt të ekraneve tek fëmijët.
Ai theksoi se qëllimi nuk është largimi i fëmijëve nga teknologjia, por kufizimi i përdorimit të tepruar të saj. Sipas tij, studimet tregojnë se qëndrimi i gjatë para ekranit ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe pushimin e mendjes së fëmijëve.
Projektligji pritet të votohet këtë verë në parlamentin grek dhe, nëse miratohet, do ta bëjë Greqinë një nga vendet e para në Evropë që ndërmerr një hap të tillë. Më herët, qeveria ka ndaluar përdorimin e telefonave në shkolla dhe ka krijuar platforma për kontroll prindëror.
Nisma vjen pas shqetësimeve të shumta për ngacmimin kibernetik dhe varësinë nga rrjetet sociale, ndërsa sondazhet tregojnë mbështetje të gjerë nga publiku për masa të tilla.
Ndërkohë, vende të tjera si Franca dhe Australia kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, ndërsa disa shtete europiane po shqyrtojnë kufizime të ngjashme. Athina synon gjithashtu që kjo çështje të trajtohet në nivel europian, duke kërkuar standardizimin e verifikimit të moshës deri në vitin 2027.
