Vendosni fjalën kyçe....

Manja viziton burgun te Mine Peza: Duhet përshpejtuar vaksinimi i të burgosurve


Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka monitoruar sot nga afër ecurinë e vaksinimit në ambientet e burgimit te “Mine Peza” në Tiranë.

Gjatë kësaj vizite, ministri u shpreh që fushata e vaksinimit ka ecur shumë mirë si tek stafi si tek qytetarët në konflikt me ligjin.

Ai i ka inkurajuar drejtuesit e burgjeve për intensifikimin e punës ndergjegjësuese për mbulimin 100 përqind me vaksinim të të dënuarve.

“Duhet të gjejmë politika stimuluese për vaksinimin. Vaksina deri më tani ka treguar që është mbrojtësi i shëndetit edhe në këtë periudhë që po rriten rastet. Prandaj edhe në ambientet e burgimit apo paraburgimit, duhet të ecim me ritme të shpejta vaksinimi, sepse në fund të fundit të paraburgosurit dhe të dënuarit, kanë probleme me drejtësinë, janë në konflikt me ligjin, por meritojnë shërbimet shëndetësore njëlloj si gjithë qytetarët e tjerë.”- ka thënë Manja.

Sipas tij duhet të rritet bashkëpunimi me Institutin e Shëndetit Publik, ndërkohë që vaksinimi duhet të përshpejtojë ritmet në të gjitha IEVP.

Manja ishte i shoqëruar nga drejtori i ri i Përgjithshëm i burgjeve, Admir Abrija. Ky i fundit tha se në të gjitha burgjet janë vaksinuar plotësisht rreth 3 mijë e 600 persona në konflikt me ligjin, ndërkohë që janë rreth 600 punonjës të cilët ose kanë bërë vetëm dozën e parë, ose nuk kanë bërë asnjë dozë.