Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Jashtme paralajmëron për faqe të rreme për viza elektronike, apel për kujdes ndaj qytetarëve



Ministria e Jashtme
ka njoftuar se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve online, është konstatuar ekzistenca e një faqeje jozyrtare që imiton platformën e aplikimit për vizë hyrjeje në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Jashtme, faqja e identifikuar përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë elektronike, por nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar shërbime apo informacion mbi procedurat e vizave.

Ministria thekson se e vetmja faqe zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare është platforma zyrtare e-Albania për vizat, ndaj qytetarët dhe të interesuarit duhet t’i referohen vetëm burimeve zyrtare për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.

Në këtë kuadër, u bëhet thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë aplikimeve online dhe të verifikojnë gjithmonë burimin e informacionit.

Ndërkohë, organet e sigurisë kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese kanë nisur marrjen e masave për bllokimin e aktiviteteve të paligjshme, si dhe për identifikimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.