Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për rritje të korrupsionit, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara në fakte.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama theksoi se nuk mund të pretendohet një rritje e korrupsionit në një kohë kur, sipas tij, vendi ka njohur zhvillim ekonomik dhe rritje të të ardhurave.
“S’mund të çohet askush e të thotë me plot gojën se është rritur korrupsioni dhe s’ka qenë kurrë si sot. Kjo është gënjeshtër e madhe, sepse nuk do të rritej ekonomia, pagat dhe pensionet, të ardhurat në arkën e shtetit siç janë rritur,” – u shpreh Rama.
Ai solli në vëmendje edhe zhvillimin e turizmit, duke theksuar se Shqipëria ka arritur shifra rekord të vizitorëve të huaj.
“Dikur na kujtonin si turistë në Rinas, sot numërojmë vetëm pasaportat e huaja. Vitin e kaluar kemi numëruar 12 milionë turistë,” – deklaroi ai, duke e cilësuar këtë si një tregues konkret të progresit.
Rama hodhi poshtë narrativën e opozitës, duke thënë se akuzat për “vjedhje dhe korrupsion” janë të përsëritura dhe pa bazë.
“E refuzoj me neveri këtë narrativë që s’dinë të thonë gjë tjetër vetëm ‘vjedhje, korrupsion’. Po të ishin të vërteta, nuk do të ndodhnin ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur,” – theksoi kryeministri.
